Lumnie Thaçi-Halili
TRAGJIKJA E DINJITETIT DHE MITOPOETIKA E LULES
Lexuesi që e njeh krijimtarinë e larmishme të Arben Iliazit, duke u nisur që nga poezia e proza e deri te dramaturgjia dhe mendimi kritik, do të gjejë edhe në romanin e tij më të ri, “Lulja e humnerës” (URA, Prishtinë, 2026), shqetësimet e një shkrimtari, i cili marrëdhënien e njeriut me historinë, shoqërinë dhe fatin e tij e ka kthyer në objekt të përhershëm kërkimi artistik. Mirëpo, në këtë vepër, këto trazime gjejnë shprehje të veçantë rrëfyese ku përvoja tragjike e një vendi, që jeton në kohë të pakohë harmonizohet me përfytyrimin dhe mendimin kritik, duke krijuar marrëdhënie të ndërlikuar estetike. Autori e përqendron vëmendjen te rrethanat e jetës njerëzore, aty ku zgjedhjet individuale vihen në provë nga bindjet e trashëguara, pasionet dhe kundërthëniet e kohës. Pikërisht prej këtyre tensioneve buron edhe natyra dramatiko-psikologjike e romanit, me përmasa politike e filozofike, ku elementet surreale dhe groteske ndërthuren me një epilog të mbështetur në mitopoetikën e lules.
Në thelb të romanit “Lulja e humnerës” të A. Iliazit qëndron një kundërthënie tronditëse, që shfaqet kur hapësira e kishës, e cila duhej t’i ofronte njeriut mbrojtje, tjetërsohet në vendin ku atij i mohohet edhe e drejta për të kërkuar shpëtim. I ngritur mbi një shkëmb të thepisur, larg botës, Kisha e Manastirit të Shën Virgjëreshës nuk shërben vetëm si skenë e krimit, por edhe si mjedis që e mundëson, e mbulon dhe përpiqet ta përligjë të keqen. Prej kësaj përmbysjeje buron tensioni themelor i rrëfimit, sepse e tmerrshmja nuk vjen nga jashtë për të cenuar rendin, por zbulohet brenda vetë sistemit që pretendon të garantojë sigurinë, moralin dhe të vërtetën.
Ngjarja zhvillohet në një hapësirë të kufizuar e në një hark kohor të ngjeshur, por fati i heronjve i jep rrëfimit një domethënie të tejkohshme, që kapërcen rrethanat e krimit.
Edhe në këtë roman, lexuesi dallon vijimësinë e vetëdijes historike të autorit, të përshkuar nga ndjeshmëria moderne dhe përsiatjet kulturore, etike e filozofike. Kësaj here, megjithatë, ajo shprehet përmes fatit individual të gruas, vendosur përballë kundërthënieve të një shoqërie që, ndonëse ka përjetuar ndryshime të thella politike e institucionale, ende jeton nën peshën e mendësive të së kaluarës.
Nisur nga kjo kundërthënie, “Lulja e humnerës” mund të kuptohet edhe si një alegori e tranzicionit, ku liria e shpallur nuk përkon gjithmonë me përvojën e saj njerëzore, ndërsa demokracia, e zhveshur nga përmbajtja emancipuese, rrezikon të mbetet një trajtë formale e organizimit shoqëror. Tabutë, zakonet anakronike dhe paragjykimet vijojnë të kushtëzojnë marrëdhëniet ndërmjet brezave dhe të kufizojnë zgjedhjet individuale. Iliazi e gjen një burim të tragjikes pikërisht në këtë vonesë të vetëdijes shoqërore, kur ajo që duket e tejkaluar historikisht vazhdon të përcaktojë fatin e njeriut.
Ngjarjet e përqendruara rreth izolimit të Janës (heroinës së romanit) në manastir i japin rrëfimit dendësi dramatike, ndërsa fati i saj dhe i Bleros (të dashurit) e çon përtej ngjarjes së veçantë, duke nxjerrë në pah kundërvënien ndërmjet dëshirës për të vendosur mbi jetën e vet dhe rrethanave që ia mohojnë këtë të drejtë.
Që në ballinë, “Lulja e humnerës” përcaktohet si roman, ndërsa cilësimi autorial “Rrëfim mbi një krim surreal” orienton leximin drejt natyrës së pazakontë të ngjarjes. Megjithatë, brenda strukturës së romanit ndihet fuqishëm edhe intensiteti dramatik. Dialogu, hyrjet, daljet dhe gjestet e personazheve krijojnë përshtypjen e një shfaqjeje skenike. Vetëtimat, qirinjtë, krismat, dera, dritarja dhe heshtjet mes replikave funksionojnë si elemente të një regjie të padukshme. Vëmendja e narratorit ndaj lëvizjeve të trupit, ndryshimeve të fytyrës dhe frymëmarrjes së ndërprerë i jep ngjarjes gjallërinë e një veprimi që duket sikur zhvillohet përpara syve të lexuesit.
Nëse vështrohet përmes parimeve të klasicizmit francez, të përmbledhura nga Nikola Bualo në “Arti poetik” (Pika pa sipërfaqe, Tiranë, 2012), “Lulja e humnerës” shfaq një afri të dukshme me rregullin dramatik të tri njësive. Ndonëse përshkohet nga elemente surreale, ndërtimi i romanit ruan përqendrimin e vendit, të kohës dhe të veprimit, duke sjellë një disiplinë strukturore që të kujton modelin klasik.
Njësia e vendit shprehet përmes përqendrimit të ngjarjeve në kishën e Manastirit të Shën Virgjëreshës, mjedis që mbizotëron gjatë njëmbëdhjetë krerëve të romanit dhe përshkruhet kështu: “Ngritur në këmbët e një shkëmbi të thepisur, rrëzë Malit të Nëmur, 1950 metra mbi nivelin e detit...”. Brenda këtij mjedisi të izoluar zhvillohet drama e rrëmbimit, e dhunës dhe e përpjekjeve për shpëtim. Edhe njësia e kohës i afrohet kërkesës klasike që veprimi të përmbyllet brenda njëzet e katër orëve. Nga mbërritja e së pafajshmes, Janës së droguar e të rrëmbyer, përballjet me Atë Vukon dhe Deskon, deri te rënia e saj në humnerë dhe vrasja e priftit, ngjarjet rrjedhin brenda një nate dhe agimit pasues, pa ndërprerje të ndjeshme kohore. Ndërkaq, njësia e veprimit qëndron te një konflikt i vetëm qendror, rreth të cilit zhvillohen rrëmbimi, abuzimi dhe përfundimi tragjik. Edhe kur dialogët prekin politikën, fenë, kombin, atdheun apo emigrimin, këto çështje nuk krijojnë linja të pavarura rrëfyese, vetëm se e thellojnë konfliktin dhe përmasat e tij ideore. Kështu pra, brenda një strukture romani me shfaqje surreale, Iliazi ruan kohezionin e veprimit dhe ngjeshjen dramatike që karakterizojnë poetikën klasike.
Që në faqet e para, mjedisi merr një funksion paralajmërues. Muret e vjetra, altari, absida dhe narteksi i Manastirit të Shën Virgjëreshës evokojnë qëndrueshmërinë e një bote të ngritur mbi besimin, ndërsa shiu, bora, era dhe vetëtimat trazojnë peizazhin përreth. Kontrasti ndërmjet qetësisë së mjedisit të shenjtë dhe furisë së natyrës krijon ndjesinë e një sigurie të rreme dhe ankthi, që më pas merr përmasat e një ironie tragjike, kur shenjtëria e vendit bie në kundërshtim me veprimet e atij që duhej ta mbronte dhe ta nderonte.
Një detaj në dukje anësor, por me peshë të veçantë simbolike, është vendosja pranë Biblës së vjetër e portreteve të Marksit, Engelsit, Leninit, Stalinit dhe Milosheviqit, për të cilat Atë Vuko (prift) kujdeset me përkushtim thuajse ritual. Kjo bashkëprani e papërputhshme i jep skenës karakter grotesk, pa nënkuptuar barazimin e besimit fetar me ideologjitë politike, por duke demaskuar mendësinë autoritare që shpërfill dallimet historike e ideore dhe i përvetëson simbolet për të përligjur pushtetin e saj.
Pas vdekjes së vëllait binjak, Atë Vuko përvetëson fshehurazi identitetin e tij, duke e ngritur autoritetin fetar mbi një identitet të uzurpuar. Kur e vërteta rrezikon të zbulohet, lutja përdoret për t’ia imponuar heshtjen dëshmitarit, ndërsa kërcënimi shqiptohet në emër të Perëndisë. Kështu, krimi i mëvonshëm nuk është një shmangie e papritur, por rrjedhojë e mashtrimit mbi të cilin është ndërtuar pushteti i tij. Ky shpërdorim i autoritetit fetar e afron satirën e veprës së Iliazit me traditën humaniste të kritikës së hipokrizisë kishtare, veçanërisht me kritikën e Erazmo Roterdamit ndaj “...degjenerimeve të paskrupullta të hierarkisë kishtare” (Erazmo Roterdami, “Lavdërim marrisë”, Rilindja, Prishtinë, 1982, f. 11). Edhe te “Lulja e humnerës”, në gjykim nuk vihet besimi, po njeriu që predikon mëshirën dhe ushtron mizorinë, duke e përdorur shenjtërinë për të përligjur ligësinë.
Mospërputhja ndërmjet ligjërimit dhe veprimit merr në roman shprehje të veçantë artistike përmes intertekstit liturgjik, të cilin Iliazi e ndërthur me rrjedhën e rrëfimit. Në kreun II, litania e paqes dhe e mëshirës bie ndesh me marrëveshjet e fshehta që bëhen për para, ndërsa në kreun III, prifti i rremë, Atë Vuko shqipton fjalët “Ke bërë hënën për stinat, edhe ke caktuar perëndimin e diellit...” (f. 34), duke vijuar me përshkrimin e natës, egërsirave dhe harmonisë së krijimit. Fragmenti mbështetet në përkthimin e Fan S. Nolit te “Uratore e Kishës Orthodokse” (Boston, 1941), “Mbrëmësorja”, Psalmi 104, f.3-4, prej të cilit autori ruan ritmin solemn dhe disa veçori të ligjërimit nolian. Teksa psalmi lartëson urtësinë hyjnore dhe përsosmërinë e krijimit, prifti i shqipton këto fjalë pranë një vajze të rrëmbyer, së cilën kërkon ta mposhtë moralisht. Pikërisht në këtë përballje qëndron origjinaliteti i zgjidhjes artistike, ku madhështia e fjalës biblike dhe shëmtia e sjelljes njerëzore krijojnë një kontrast tronditës. Kështu, ligjërimi i shenjtë, i ruajtur në bukurinë dhe solemnitetin e tij nolian, kthehet në aktakuzë të heshtur morale ndaj priftit që e keqpërdor, duke u bërë masë e hipokrizisë së personazhit.
Jana mbërrin në manastir e droguar, e fshehur në një thes, pasi njerku e ka dorëzuar kundrejt parave. Familja, që duhej t’i ofronte mbrojtje, bëhet hallkë e parë e zinxhirit të krimit. Ndonëse veprimi skenik përqendrohet te tri personazhe, përgjegjësia shtrihet edhe përtej tyre, pasi njerku, kallogjeri dhe prifti si antagonist, secili me peshën e vet të fajit, bashkohen në një marrëveshje për t’ia mohuar protagonistes së veprës të drejtën për të vendosur mbi fatin e saj.
Përballë këtij nënshtrimi ngrihet thirrja e saj: “Unë vendos vetë!” (f. 39), së cilës prifti i kundërpërgjigjet: “Askush s’mund të vendosë këtu për veten e vet!” (f. 39). Në këto dy replika përmblidhet konflikti etik i romanit, ku e drejta për të zgjedhur dashurinë dhe fatin personal përballet me një pushtet që kërkon bindje të pakushtëzuar. Edhe nderi, në emër të të cilit flet prifti, zhvishet nga kuptimi moral dhe kthehet në mjet për ruajtjen e privilegjeve të tij.
Prifti synon t’i japë dhunës vulën e ligjshmërisë, duke i kërkuar Deskos (vartësit të priftit) ta dhunojë dhe ta lërë shtatzënë, në mënyrë që kurorëzimi i mëvonshëm t’i japë krimit pamjen e një martese të ligjshme. Forma juridike dhe ceremonia fetare përdoren për ta paraqitur detyrimin si pëlqim. Që nga gjyqi i kurdisur i Nabothit, i rrëfyer në “Dhjatën e Vjetër”, e deri te dënimi i Sokratit, historia e njerëzimit, dëshmon se ligjshmëria nuk është gjithmonë shprehje e drejtësisë. Tragjedi të panumërta janë shkaktuar ndër shekuj dhe vazhdojnë të ndodhin edhe sot në emër të Ligjit dhe të Zotit, sa herë që pushteti e përdor të parin për të përligjur padrejtësinë dhe emrin e të dytit për ta shenjtëruar atë. Ndërkaq, përpjekja e Janës dhe e Deskos për t’u arratisur, duke shtirur pranimin e kurorëzimit, përfundon pa sukses.
Figura e vartësit shquhet për dykuptimësi të mprehtë morale. Bashkëpjesëmarrës në rrëmbimin e vajzës për të shlyer borxhet, ai është njëherësh viktimë e përçmimit etnik dhe e trysnisë mbi identitetin e tij fetar. Kleriku e fyen me fjalët: “Ku humbe gjer tani, magjup i dreqit?” (f. 25), ndërsa pohon se e ka pagëzuar dhe ia ka vënë emrin tjetër Desko. Mirëpo, kallogjeri e quan veten Demko, deklarohet mysliman dhe i drejtohet në lutje Profetit të tij, duke dëshmuar mospërputhjen ndërmjet rolit të tij kishtar dhe besimit që pohon. Poshtërimi nuk e shfajëson për krimin, por ndihmon të kuptohet varësia e tij nga njeriu që e shfrytëzon dhe e përbuz. Iliazi ndërton kështu një personazh kundërthënës, tragjizmi i të cilit qëndron në bashkëjetesën e fajit me vuajtjen, pamundësisht që njëra ta shlyejë tjetrën.
Një përmasë tjetër e karakterit të tij zbulohet në marrëdhënien me Janën. Kur ai ankohet se të gjithë e përbuzin, ajo i përgjigjet: “Unë... unë... nuk përbuz njeri... Njerëzit janë njëlloj...” (f. 56). Për herë të parë, shërbyesi ndien se dikush ia njeh dinjitetin pa kushte. Mirënjohja e tij përzihet me nevojën për afërsi, ndërsa përpjekja për ta shpëtuar protagonisten dëshmon ndryshim ndërgjegjeje, si dhe shënon fillimin e kundërshtimit ndaj priftit, të cilit më parë i ishte nënshtruar.
Përballë marrëdhënieve të imponuara, dashuria e Janës për Bleron mbetet lidhja që ajo ka zgjedhur vetë. Mirëpo, prania e tij në roman nuk ka qëndrueshmëri realiste. Ai shfaqet si hije, e përqafon vajzën dhe zhduket papritur, duke e lënë të pyesë veten: “Mos kam qenë në ëndërr? Jo, jo, ai ishte këtu” (f. 71). Kjo paqartësi e qëllimshme, që mjegullon kufirin ndërmjet realitetit dhe përfytyrimit, përbën tiparin thelbësor të poetikës surreale të veprës. Për protagonisten, e privuar nga liria, prania e të dashurit bëhet pjesë e një realiteti të brendshëm, ku mungesa dhe dëshira ndërthuren përtej rendit të zakonshëm kohor. Surrealja nuk mbështetet, siç vërehet, vetëm në natyrën e pazakontë të shfaqjeve, por edhe në mënyrën e vetëdijes së personazhit, e cila, nën trysninë e dhunës, shkëputet dhe tejshkon kufijtë e përjetimit të drejtpërdrejtë. Në bisedat e tyre, dy të rinjtë, ndonëse e duan njëri-tjetrin, shfaqin mospajtime të thella për vendin ku duhet ta ndërtojnë të ardhmen e përbashkët, në atdhe apo jashtë tij. Ajo kërkon largimin, Amerika, Kanadaja dhe Perëndimi përfaqësojnë për të mundësinë e një jete pa frikë. Ndërkaq ai, i lidhur me të atin, familjen dhe atdheun, e sheh qëndrimin si detyrim moral ndaj vendit dhe njerëzve të vet. Për vajzën, ikja është rruga drejt lirisë, ndërsa për djalin i druhet shkëputjes nga gjithçka që përcakton përkatësinë e tij. Kështu që dëshira për një të ardhme të përbashkët ndeshet me dy mënyra të ndryshme të të menduarit për jetën. Megjithatë, as djali nuk mbetet i palëkundur në bindjet e tij. Fillimisht i referohet urdhrit të babait dhe detyrimit ndaj vendit, ndërsa më pas pohon: “Dua që ta dish se nuk do t’i bindem asnjë urdhri, përveç urdhrit të zemrës sime...” (f. 81). Këto lëkundje mund të shprehin pasigurinë e një të riu që nuk arrin të gjejë baraspeshë ndërmjet besnikërisë familjare dhe dashurisë. Njëkohësisht, ato mund të burojnë nga vetëdija e trazuar e së resë, përmes së cilës figura e të dashurit ndryshon sipas ankthit dhe dëshirave të saj. Autori i lë të hapura të dyja mundësitë, pa përcaktuar përfundimisht nëse ndryshon vetë ai apo përfytyrimi që ajo ka për të.
Surrealiteti i përftuar artistikisht në këtë roman nuk duhet ngatërruar me surrealizmin si program historik letrar të André Bretonit, i cili mbështetej edhe në krijimin spontan, pa ndërhyrjen e vetëdijshme të arsyes. Pleksja e reales me shajninë fanitëse i jep romanit përmasë surreale, por Iliazi këtu ruan lidhjen ndërmjet shkakut dhe pasojës në zhvillimin e ngjarjeve dhe vijimësinë e tensionit dramatik, ndërsa vegimet, shfaqjet e mistershme dhe grotesku shprehin gjendje psikologjike që i kaptojnë kufijtë e realizmit tradicional. Andaj, mund të thuhet pa mëdyshje se “Lulja e humnerës” qëndron në bashkëveprimin e lirisë përfytyruese me disiplinën kompozicionale, përmes të cilit autori krijon një roman që nuk i nënshtrohet një modeli të vetëm estetik.
Dialogu në veprën “Lulja e humnerës” shërben për të shprehur mendimet e personazheve, të cilat më pas bëhen pjesë e vetë veprimit. Ligjërimi urdhërues dhe shpesh solemn i predikuesit fetar ndeshet me kundërpërgjigjet e prera, herë-herë ironike, të personazhit femër, kurse ngurrimet dhe fjalët e ndërprera të vartësit të priftit gradualisht ua lënë vendin kundërshtimeve të hapura. Përmes ndryshimeve të ritmit dhe të tonit, dialogu shpërfaq karakteret, ashpërson konfliktin dhe përcakton kthesat e ngjarjeve. Kjo mënyrë e ndërtimit të përballjeve dëshmon aftësinë dramaturgjike të autorit, i cili i jep romanit gjallëri skenike, pa ia cenuar aspak natyrën rrëfyese.
“Lulja e humnerës” është titull poetik, i emërtuar nga dy emra të kundërt në përmbajtje simbolike: lulja që mishëron përtëritjen e gjallërinë dhe humnerën e cila kërcënon ta zhbijë. Në hyrje të kreut X, kjo kundërvënie, pothuajse e antonimuar, merr shprehje të veçantë figurative në pamjen e personazhit qendror, e cila, e mbledhur kutullaç në errësirën e natës, “duket si një lule e zezë, e mbirë kësaj nate, në mes të humbëtirës” (f. 86). Figurë e cila shpreh brishtësinë dhe pafajësinë e cenuar, megjithëse nga ana tjetër ajo nuk i dorëzohet dhunuesit, sepse mendon, kundërshton, proteston dhe përpiqet të mbrojë vetveten si e dinjitetshme që është. Ndërkaq, cilësimi e zezë në frazën sipër sikur ia heq kësaj luleje simbolikën e bukurisë, duke e mërtis me errësirën e natës së krimit. Siç u vu në dukje, vetë figura poetike bëhet kësisoj pjesë e tragjedisë. Në anën tjetër, dritarja, të cilën ajo e lidhte me ëndrrën e largimit bashkë me të zgjedhurin e saj, në skenën përmbyllëse të romanit, bëhet cak i fundit mes saj dhe botës. Dëshira për të fluturuar drejt një vendi ku dashuria të mos kërkojë leje për të jetuar ia lë vendin thirrjeve “Dua ajër! Ajër!” dhe “Dua dritë!” (f. 92), të cilat shprehin nevojën më elementare për të jetuar. Rënia e saj nuk mund të nënkuptohet ndryshe, përveç si pasojë e dhunës dhe e ngujimit, gllabëruar larg udhëve të shpëtimit. Ky fund tragjik risjell ndër mend pyetjet që Roterdami shtron te “Lavdërim marrisë”: “Për çfarë mëkatesh njerëzit e kanë merituar një fat të këtillë? Cili zot, në tërbim e sipër i shtyri të lindin ata në një mjerim kësisoj?” (Rilindja, Prishtinë, 1982, f. 70). Tragjedia e protagonistes rreth këtyre pyetjeve kërkon përgjigje të ndershme e llogaridhënie edhe për jetët e tjera të rrëmbyera gjatë tranzicionit shqiptar dhe në vitet pasuese.
Në përmbyllje të veprës, grotesku merr përmasë rrëqethëse, kur përgjërimit të Deskos “Vetëm të rronte” i kundërvihet fuqishëm prifti me fjalë makabre: “Kufomat janë shumë të shijshme!” (f. 94). Grisja e aktit të martesës tregon kundërshtimin e vonuar të bashkëpunëtorit dhe rrëzon çdo përpjekje për ta mbuluar krimin me ligjshmëri. Po tmerri më i madh i kësaj skene qëndron në faktin se as vdekja nuk arrin t’i vë kufi mizorisë njerëzore. Në mendësinë tradicionale shqiptare, respekti për të vdekurin përbën një detyrim të ndjeshëm e respektues moral, përfytyrimi i përdhosjes seksuale të kufomës prek një nga tabutë më të rënda. A. Iliazi guxon ta trajtojë këtë temë në roman, duke e vendosur kërkesën për një akt nekrofilik në gojën e një njeriu që predikon në emër të Zotit! Kjo zgjedhje artistike e bën skenën shumë tronditëse, sepse përçudnimi i priftit nuk njeh as vdekje, por synon ta vazhdojë poshtërimin e heroinës edhe mbi trupin e saj të pajetë.
Në kreun përfundimtar, romani reflekton zgjim ndërgjegjeje, Desko kundërshton përdhosjen e Janës, kërkon të zbulojë të vërtetën dhe, gjatë përleshjes, vret priftin. Por vrasja nuk ia shlyen fajin dhe as vendos drejtësi. Tragjizmi qëndron te zgjimi i vonuar i ndërgjegjes, kur pendimi nuk mund të ndryshojë më asgjë. Ndërkohë, edhe pse vritet prifti, romani nuk përmbyllet me ndëshkimin e fajtorit. Në sfond dëgjohet kënga e vjetër e dashurisë “Vaji i rizgjimit”. “U zgjua? Ajo po këndon...” (f. 96), pyet kallogjeri. Për një çast, kënga i tingëllon si zëri i vajzës, ndërsa dëshira për ta parë gjallë sendërgjon fuqinë e një vegimi. Kjo nuancë surreale, pavarësisht se nuk dëshmon ringjallje, e bën edhe më të dhimbshme humbjen e saj.
Në epilog, lulja zemër-pikon mbin në ballin e shkëmbit dhe, sipas një bestytnie, esenca e saj lehtëson dhimbjen e ndarjes (f. 97). Kështu që vetvetiu kënga dhe lulja u japin jehonë fjalëve të Psalmit 104, të shqiptuara më parë në manastir: “Ti u merr frymën, ato vdesin” dhe “Ti u dërgon frymën, ato ngjallen” (f. 34). Pa e zhbërë tragjedinë, kënga dhe lulja e tjetërsojnë historinë e Janës në një legjendë moderne, përmes një rimitizimi poetik ku vdekja mbetet e pakthyeshme, ndërsa rilindja jeton në përfytyrim brezash.
Tragjikja e romanit “Lulja e humnerës”, veçanërisht përmbyllja e tij mitopoetike, krijon mundësinë për ta vështruar veprën edhe në vazhdën e traditës letrare shqipe, ku motivet e dashurisë, dinjitetit dhe vdekjes rikthehen me ndjeshmëri dhe shprehje të ndryshme artistike. Lidhur me këtë, Rexhep Qosja shkruan: ”Tradita kulturore është e djeshmja, por e shtrirë në të sotmen e vet [...]” (“Tri mënyra të shkrimit shqip”, Instituti Albanologjik i Prishtinës, f. 173). Në këtë marrëdhënie ndërmjet trashëgimisë letrare dhe krijimit bashkëkohor, epilogu i romanit të Iliazit, veçanërisht figura e lules që mbin në ballin e shkëmbit, zgjon disa analogji me vepra të mëhershme të letërsisë shqipe, që meritojnë një shqyrtim më të vëmendshëm.
Një përkim i veçantë figurativ shfaqet në poemën historiko-legjendare “Garda krutane” të Kolë Jakovës (Shtëpia Botonjëse Naim Frashëri, Tiranë, 1967). Përballë rrezikut të robërimit nga ushtria osmane, Suta, para vetëflijimit, u lë vashave të Kurbinit një amanet për bashkëshortin që pritet të kthehet nga lufta: “... te ky shkamb rruga po i ra,/nji zambak ka për të pa.” Shkëmbi, vajza dhe lulja, si shenjë e dashurisë që i mbijeton vdekjes, krijojnë një afri të ndjeshme me epilogun e librit “ Lulja e humnerës”. Në këtë përkim, mitopoetika e lules e lidh tragjiken njerëzore me përfytyrimin legjendar, duke i dhënë kujtimit një jetë tjetër. Megjithatë, dallimi është thelbësor: Suta e zgjedh vetëflijimin, ndërsa rënia e Janës nuk dëshmohet si vendim i vetëdijshëm. Përkimi i këtyre dy heroinave, pra, nuk nënkupton përputhje fatesh, aq më pak huazim letrar. Një analogji tjetër, me përmbajtje etike, na çon te figura e Teutës në dramën “Vdekja e një mbretëreshe” të R. Qosjes. Bindja se më mirë është të jesh “i adhuruar në varr se sa i përbuzur në fron” (Rexhep Qosja, “Mite të zhveshura”, Rilindja, Prishtinë, 1978, f. 304) e vendos dinjitetin njerëzor mbi joshjen e pushtetit. Teuta përballet me tragjiken e fronit, ndërsa Jana me një dhunë të ushqyer nga tradhtia familjare, paragjykimet, shpërdorimet... Rrethanat dhe fatet e tyre ndryshojnë, por mospranimi i poshtërimit i afron këto figura në qëndrimin e tyre moral. Kjo ngjashmëri, megjithatë, nuk e përligj cilësimin e vdekjes së protagonistes së këtij romani si vetëflijim. Dihet që rrethanat dhe fatet mbeten të ndryshme te secila, por qëndresa ndaj nënshtrimit i afron këto subjekte femërore, pa e interpretuar vdekjen si flijim përzgjedhës. Këto analogji e pasurojnë krijimleximin e tragjedisë së Janës, duke e lidhur me përvoja njerëzore të shprehura artistikisht në kohë dhe rrethana të ndryshme, mirëpo kjo prozë rrëfyese spikat për veçantinë e saj artistike.
“Lulja e humnerës” ka origjinalitetin e të pazakontën, identitetin artistik me tipare dalluese, që shquhet për konfliktin e fuqishëm dramatik dhe rrjedhën e paparashikueshme të ngjarjeve. Njëherësh, përtej demaskimit të një prifti të rremë, vepra ia çjerr maskën mekanizmit të pushtetit autoritar, që dje e sot, pa ndryshuar, e imponon traditën në urdhër dhe Zotin, kombin, nderin e familjen në pretekste për nënshtrim të individit. Përtej fatit tragjik të heroinës, autori me këtë roman pohon një të vërtetë të patjetërsueshme: Jeta i përket kujtdo që e jeton, jo atyre që pretendojnë ta zotërojnë e ta nënshtrojnë.
Duke kapërcyer kufijtë e dramës personale të protagonistes, romani i Arben Iliazit na përball aktualisht edhe me dramën e një brezi që kërkon të ardhmen larg atdheut. Dilema ndërmjet ikjes dhe qëndrimit shpalos një kuptim më të thellë në realitetin shqiptar, ku shumë të rinj largohen për shkak të shpërfilljes institucionale, zhvlerësimit të meritës dhe pamundësisë për të ndërtuar një jetë në përputhje me aftësitë dhe aspiratat e tyre. Largimi i tyre shënon një tragjedi të re për Shqipërinë, e cila, bashkë me rininë e saj të aftë, humb edhe një pjesë të mundësive për t’u bërë një atdhe më i bukur, më i drejtë e më i jetueshëm për shqiptarët.
Prishtinë, shtator-tetor 2026
